Paketa e Gjelbër

Paketa e Gjelbër
nëntor 2017 | Printim |

Zhvillimi i hovshëm ekonomik i botës në shekullin e fundit ka pasur një ndikim të madh
në mjedisin në cilin jetojmë. Rritja e shpejtë e popullsisë globale, e shoqëruar edhe me shfytëzim
të madh të resurseve bazë natyrore, ndotja e madhe industriale kanë ndërhyrë në ekosistemin
global në shumë pika, madje edhe të pakthyeshme. Njeriu, në tërë këtë konglomerat, paraqitet si
shkaktari kryesor i problemeve mjedisore në njërën anë, por edhe si faktori që bart pasojat e
këtyre problemeve në anën tjetër. Nisur nga këto fakte dhe shqetësime, mjedisi sot është kthyer
në një nga pikat më të nxehta të diskutimeve shoqërore. Në agjendat e forumeve politike
ndërkombëtare, mekanizmave vendimmarrëse dhe liderëve botërore, mjedisi dhe degradimi i tij,
sot është në majat e çështjeve prioritare.
Në  Kosovë, mjedisit dhe mbrojtjes së tij gjatë dekadave i është dhënë hapësirë shumë
e vogël dhe kjo është reflektuar në situatën e palakmueshme mjedisore të vendit. Zhvillimi
i Kosovës në të kaluarën është shoqëruar me një shfrytëzim të pakontrolluar të resurseve natyrore
si lignitit dhe xeheve të tjera: pa përkujdesje për pasojat mjedisore të këtij shfytëzimi. Për këtë
arsye, problemet kryesore të mjedisit në Kosovë janë të trashëguara nga e kaluara.
Në këtë aspekt, edhe edukimi mjedisor ka qenë përfshirë në shkallë të ulët në kurrikulat shkollore
të të gjitha niveleve. Paketa e Gjelbër mbush një vakum të madh që ekziston në materialet
e edukimit mjedisor në programet e ciklit fillor. Qasja e re është që përveç përshkrimit
të problemeve nxënësve t’u prezantohen më konkretisht masat për mbrojtjen e mjedisit e
sidomos diskutimi i alternativave nga vetë nxënësit është një risi tjetër në edukimin kosovar.
Puna dhe angazhimi i ekspertëve më të mirë mjedisorë vendorë në përgatitjen e materialit
të Paketës së Gjelbër, angazhimi i pedagogëve dhe i mësimdhënësve për ta bërë më të kapshëm
dhe të pranueshëm nga fëmijët, përvojat dhe mësimet e nxjerra nga shtetet e tjera ku kjo paketë
është implementuar tashmë, puna e stafit implementues të REC-ut dhe e partnerëve tanë
institucionalë MASHT dhe MMPH, japin të gjitha të dhënat për një instrument edukimi efektiv,
të kapshëm dhe në përputhshmëri me nevojat e Kosovës. Gjithë kjo punë e madhe është
mundësuar falë mbështetjes financiare të siguruar nga qeveria e Holandës. Të gjithë këta aktorë
meritojnë mirënjohjen tonë më të thellë, atë të të fëmijëve të sotëm dhe të gjeneratave
të ardhshme që do ta kenë në duar atë dhe do të edukohen për një mjedis më të mirë
për vendin e tyre.

Numrat / Versione në gjuhë të tjera